Powered by Blogger.

Arsimi fitimprurës, jo vetëm financiarisht

Arsimi fitimprurës, jo vetëm financiarisht
Universitet privat apo publik? Shkollë të mesme të përgjithshme, apo profesionale? Të detyruar, apo me zgjedhje? Arsim bazë në grup, apo të veçuar? Tekste alternative, apo unike? Sistem modular, apo lëndor? Teori, apo praktikë? Sistem klasik, apo elementë dualë? Sasi, apo cilësi në arsim? Me të drejtë, arsimi duhet të jetë në qendër të vëmendjes që në fillim të këtij viti. Në vëmendjen politike dhe mediatike.Zhurma më e madhe që është bërë për arsimin në vitet e fundit ka të bëjë me universitetet private dhe shqetësimin e arsyeshëm për cilësinë dhe vërtetësinë e diplomave të disa prej tyre. Edhe me konfliktin e interesave të politikë-bërësve që hartojnë e miratojnë heqje-vënie taksash sipas dëshirës.
Ka pasur zhurmë e konstatime edhe për sistemin e Bolonjës. Edhe për provimet e maturës. Edhe për sistemin meritë-preferencë. Me kohë, gjithçka zbehet. Jo se ndryshojnë thelbësisht politikat arsimore, por çështjet shkojnë në nivelin teknik, dhe tek ky cak, media tërhiqet. Aty ky fillon profesionalizmi dhe pozitiviteti, interesi i medias bie. Zhduket. Derisa gjenden fshatra apo raste shkollash të izoluara, që për një vend me terrenin malor dhe mënyrën shekullore të jetesës në Shqipëri, vështirë se mund të thuhet që është faji i një qeverisje katër vjeçare apo i një tjetre që ka ndenjur tetë vjet në pushtet.
Arsimi ka shumë më tepër arsye për të qenë në qendër të vëmendjes, e madje, të rrëmbejë kreun e edicioneve e të faqeve për të gjithë ata që pretendojnë se shqetësohen për fatet sociale të këtij vendi.
Nëse kronikat televizive do të vazhdojnë të përqendrohen tek shkollat që janë larg qendrave të banuara, e tek përfitimet kolosale që kanë universitet private me degë vetëm sociale e të thjeshta për mësimdhënie e pasurim bashkë (juridik e ekonomik), atëherë informuesit do të ngelen shumë pas hapave që realisht po ndjek arsimi në vend.
Nuk duhet shumë mund për ta kuptuar se politikat arsimore në Shqipëri janë tashmë të orientuara drejt zhvillimit afatgjatë të ekonomisë së vendit. Jeta sociale e qytetarëve gjithashtu merret me kujdes parasysh në hartimin e të gjitha politikave arsimore. Me hyrjen në fuqi të MSA-së, më shumë kujdes në to i kushtohet rinisë, edhe asaj që nuk është e sigurt për arsimin. Mbështetja që vjen nga BE dhe nga donatorët e ndryshëm në arsim, përqendrohet tek nevoja për një popullsi të shkolluar, që i shërben transformimeve të ekonomisë shqiptare të mbështetura mbi dijen.
Duken si fjalë në erë, por janë realisht parime mbi të cilat Ministria e Arsimit ndërmerr sot iniciativat në këtë fushë që në mënyrë konstante, kritikohet. Por, gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda natës. Ndryshimi fillon tek reformat dhe tek përshtatja e legjislacionit e tek hartimi i harmonizuar i politikave arsimore. Në bazë të tyre, parashikohet që çdo fëmijë të ketë akses në arsimin bazë 9-vjeçar. A është kjo e realizueshme 100%? Janë një sërë faktorësh që e pengojnë të jetë e vërtetë, por janë po kaq të shumta në numër përpjekjet që kjo të realizohet.
Si në çdo sektor tjetër, do të ishte optimizëm i çartur apo halucinacion elektoral të besoje se ndryshimet do të jenë afat-shkurtra. Prandaj edhe objektivat më të besueshëm për arsimin, mund të gjenden tek strategjitë për nivelet e ndryshme, të cilave sot mund t’iu referohemi më besueshëm se më parë.
Të gjitha ndryshimet vijnë mbi të gjitha për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga MSA dhe janë domosdoshmëri për ecjen më tej drejt BE-së. Prandaj MASH nuk ka rrugë tjetër përveçse të synojë arritjen e objektivave për uljen në nivelin zero të braktisjes së shkollës për fëmijët e arsimit të detyruar, përfshirjen e të gjithë fëmijëve pesëvjeçarë në kopshte, ofrimin e teksteve falas për fëmijët në nevojë, ndërtimin e shkollave dhe kopshteve, plotësim të kushteve sa më të mira mësimdhënieje, ndërtimin e konvikteve në ndihmë të nxënësve të zonave të thella, rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie; thellimin e përgjegjshëm të reformës kurrikulare, (që realisht po vjen gjithnjë duke u pasuruar me elemente sociale në dobi të nxënësve), decentralizmin në arsim, dhënien e autonomisë së shkollave profesionale, shndërrimin e tyre në qendra multifunksionale, prej të cilave të përfitojnë edhe ata nxënës që e kanë braktisur të mesmen e përgjithshme, forcimin e partneriteti publik-privat në arsim, etj. Arsimi është në qendër të një sërë projektesh në të cilët bashkëpunojnë Ministria përkatëse, drejtoritë arsimore, shkollat e vendit, komunitetet e prindërve, pushteti vendor, OJQ të ndryshme, sindikatat e arsimit, organizma të huaja kontribuuese për arsimin, etj.
Synimi kryesor i të gjithëve është rritja e cilësisë në arsim. Përveç përpjekjeve kolosale në financa dhe burime njerëzore, këto ndryshime kërkojnë edhe kohën e vet, si edhe vëmendjen e duhur nga media dhe nga politika, që epiqendra e shqetësimeve të zhvendoset nga fjalët boshe, e të përqendrohet aty ku e ardhmja është ulur këmbëkryq: në arsim.
Brenda tij, rrjedha është e pandërprerë. Thjesht duhet vënë në pah se përfitimet prej arsimit nuk janë vetëm milionat e eurove që po marrin universitetet private, por mbi të gjitha, nxënës e studentë të arsimuar më cilësisht.
E që kjo të arrihet nesër, gjithçka u tha më sipër, zyrtarisht, Ministria e Arsimit po i planifikon që sot.
Dhe është fillim pozitiv ta nisësh mediatikisht 2010-ën me optimizmin që mbart arsimi.
Please Share it! :)

No comments :

Post a Comment